Lubonja për median franceze Liberation: Jemi njësoj si në komunizëm

Tuesday, 15 May 2018 17:30

Gazeta franceze Liberation i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, emigrimit të të rinjve shqiptarë drejt vendeve të BE-së dhe lidhjen e këtij procesi me hapjen e negociatave.

Shqipëria, nuk është në luftë pra konsiderohet një  "vend i sigurt". Muajt e fundit, udhëheqësit gjermanë, holandezë apo francezë po e shtyjnë Tiranën për të zvogëluar rrjedhën e emigracionit të parregullt.

Pas vizitës së Gerard Collomb në Shqipëri në dhjetor, sekretari belg i Shtetit për Azilin dhe Migracionin, Theo Francken, shkoi aq larg sa të pohonte në mes të prillit, përpara autoriteteve shqiptare se "Belgjika nuk është El Dorado, nuk është vendi ku rrjedh qumështi dhe mjalti".

Nga ankthi që e ka kapur qeverinë Shqiptare për bindjen e shteteve anëtare të BE-së për të filluar negociatat e pranimit, paralajmëroi marrjen e masave.

"Ne kemi rritur përgjegjësinë administrative dhe penale të prindërve që udhëtojnë me fëmijët e tyre", tha Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj. Sidomos në rastet kur të miturit nuk kthehen në shtëpi.

U filluan 50 procedime penale kundër prindërve apo shoqatave të shpallura fajtore për promovimin e emigracionit të paligjshëm, ndërsa tre agjenci udhëtimi u mbyllën.

Janë shtuar në numër të madh masat e kontrollit në pikat kufitare, deri në ndalimin e udhëtimit jashtë territorit.

Nëse portat e Shqipërisë mbyllen, arsyet për largimin e shqiptarëve shtohen. Rotacioni politik që vendi përjetoi në vitin 2013 nuk u përgjigj shpresave të ndryshimit të rinisë, e cili nuk beson më në një klasë politike të përfshirë nga skandalet.

"Në vend që të kërkojnë veprime kundër emigrimit, udhëheqësit evropianë duhet të pyesin veten pse, njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi në mënyrë masive", ka thënë Fatos Lubonja, intelektual dhe shkrimtar shqiptar.

Pavarësisht shifrave të mira të rritjes, një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore.

Lubonja heq një paralele mes Shqipërisë sot dhe "burgut të hapur" të diktatorit Enver Hoxha, i cili sundoi me një dorë të hekurt vendin në mes të 1944 dhe 1985.

"Krahasimi është i ekzagjeruar nëse i referohet instrumenteve të shtypjes dhe shfrytëzimit të asaj kohe, por ndjenja e mungesës së dinjitetit është ndoshta aq e fortë mes njerëzve tani", ka thënë Fatos Lubonja.

Dhe kjo mund të jetë arsyeja pse qeveria duket se e ka të vështirë të ndalojë largimin e të rinjve nga vendi.

Për  2000 apo 3000 euro, pavarësisht refuzimit të azileve në Francë apo vende të tjera, ata nuk hezitojnë të fshihen në kamionë të rëndë që nisen për në Itali.

Login to post comments