Eurokomisioneri: S’ka negociata pa peshq të mëdhenj

E mërkurë, 16 May 2018 15:53

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka paralajmëruar vendin tonë se pa peshq të mëdhenj, mund të ndërpriten negociatat

Në një intervistë për të gazetën gjermane Stuttgarter-Zeitung, komisioneri tha se nëse nuk do të ketë arrestime të atyre që i quan peshq të mëdhenj, BE mund edhe të ndërpresë procesin e negociatave me Shqipërinë.

Sipas Johannes Hahn, ndonëse Shqipëria ka bërë progres në reforma, rastet e korrupsionit deri më sot nuk kanë nxjerrë para drejtësisë asnjë prej peshqve të mëdhenj.

“Unë mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk them se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim. Megjithatë, reformat e nevojshme mund të realizohen gjatë procesit të pranimit. Merrni shembullin e korrupsionit.

Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që është e krahasueshme me tonat.

Por, në bisedimet e pranimit, i kushtojmë vëmendje faktit se ligjet zbatohen, se rastet e korrupsionit dalin para drejtësisë dhe peshqit e mëdhenj nuk kursehen.

Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat. Sidoqoftë, ne mund të kapërcejmë gjendjen akoma të pakënaqshme të sistemeve ligjore në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur të fillojmë bisedimet e pranimit”,- ka deklaruar komisioneri Hahn.

Megjithatë, ai shprehet se deri në qershor, pret nga Këshilli Europian që të japë një vendim pozitiv për negociatat me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Intervista e e Johannes Hahn vjen në prag të takimit të Sofjes, ku krerët e shteteve dhe qeverive të BE do të diskutojnë mbi të ardhmen e vendeve të Ballkanit në BE.

Login to post comments