Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vizitën e tij në Shqipëri e ka nisur me takimin me Presidentin Ilir Meta.
Në njoftimin e kuvendit thuhet se Veseli dhe Meta kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Siç thuhet, kreu i Kuvendit të Kosovës ka theksuar rolin krucial të Shqipërisë si në fazën e luftës dhe të shtetkrijimit, ku ka përmendur edhe pritjen e Kosovës nga BE për liberalizim vizash.
“Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë të qartë aspiratën dhe rrugën të cilën duhet ndjekur për të arritur synimin e përbashkët – integrimin euroatlantik”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Presidenti Ilir Meta, ka përgëzuar kryeparlamentarin Veseli për vendimet e kohëve të fundit të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, i kanë hapur mundësi të reja shtetit të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
“Meta tha se Shqipëria vazhdon të mbetet në krah të Kosovës në të gjitha sfidat që ajo ka para vetes dhe se i gëzohet çdo arritjeje të saj, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”.