Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Medias, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka kërkuar seancë dëgjimore për kryeredaktorin e gazetës “Rilindja Demokratike”, i cili u dhunua barbarisht nga policia e shtetit në protestën e mbajtur nga opozita më 26 maj.
Gazetari Bledi Kasmi u godit me urdhër të kryeministrit, tha Vokshi, dhe për këtë ka kërkuar zbardhjen e kësaj çështjeje. Gjithashtu deputetja e PD-së kërkoi mbrojtën e gazetarëve nga dhuna.
“Kërkojmë hetim menjëherë për Kasmin. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj fjalës së lirë,” tha Vokshi.
Të njëjtën gjë kërkoi edhe deputeti tjetër demokrat Luciano Boçi. “Të dalim me rezolutë kundër dhunës së gazetarëve,” u shpreh ai në Komision.