Ndërsa prokurorët shqiptarë kanë zbarkuar në Katania për hetimet mbi dosjen ‘Habilaj’, mediat italiane shkruajnë se qeveria shqiptare është duke u dridhur.
Francesco De Palo i Formiche.net shkruan se skandali rrezikon qeverinë shqiptare (me ndihmën e protestave).
‘Një skandal në Shqipëri po e dridh qeverinë socialiste të Edi Ramës, me opozitën e qendrës së djathtë që ka dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, siç ka ndodhur së fundmi në Rumani dhe Armeni’.
‘Casus belli’ është bërë vëllai i një ministri, i përfshirë në trafik droge në Itali, përkundrejt sfondit të progresit që ka bërë Tirana në rrugën drejt BE’.
‘Agron Xhafaj, vëllai i ministrit, pak ditë më parë mbërriti vullnetarisht në Itali për të kryer dënimin e tij, por krahas kësaj çështje merr jetë edhe një zhvillim politik: ministri akuzohet që e ka mbështetur vëllain e tij, për këtë arsye është shpërndarë një audio-përgjim i një ish-trafikanti droge’.
Gazetari shkruan se përkundër këtij tensioni, një think-tank i rëndësishëm si Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë.