Për Belind Këlliçin, kreun e FRPD-së procedimet penale ndaj të rinjve që protestuan ditën e djeshme para ministrisë së Brendshme janë bërë për t'i ndaluar e frikësuar ata.
Kryetari i të rinjve demokratë deklaroi në studion e lajmeve në Ora News se zyrat e PD-së dhe të FRPD-së janë survejuar nga policë privatë të cilët kanë ndaluar çdo të ri që ka hyrë e ka dalë nga zyrat një ditë para zhvillimit të protestës.
“Kjo është hap për të na stepur, se nuk ka qenë vetëm kjo formë. Një natë para protestës, deri në orën 12:30 të natës selia e PD, zyrat e Forumit Rinor nga jashtë kanë qenë të survejuara nga policë civile, të cilët çdo të rinj që ka dalë nga zyrat e kanë ndaluar për ta pyetur, për ta intimiduar. Kanë ardhur civilë që janë afruar, kanë tentuar të intimidojnë të rinjtë për të mos marrë pjesë në protestë dhe sigurisht nuk ia kanë dalë dot mbanë. Vijojnë me tentativa nga më të ndryshmet për të na stepur, për të na ndaluar sepse e kanë të qartë forcën e rinisë.”
Më tej ai tha i bindur se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt.
“Të rinjtë e FRPD janë të bindur për të vazhduar protestat e tyre të përditshme, për të protestuar kundër këtij ministri që na ka nxirë faqen në gjithë Europën dhe Botën, aq më keq ministri paraardhës i tij. Saimir Tahiri na futi për herë të parë na raportet e DASH, si pika kyçe tranzit për trafikun e drogave të forta.” U shpreh Këlliçi.