Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një lidhje direkte me emisionin “Të pa ekspozuarit” u shpreh se Rama do të largohet si të gjithë diktatorët e tjerë.
“Komenti im është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë: mua më vjen shumë mirë që edhe media dhe mazhoranca janë të shqetësuar për angazhimin e opozitës. Kjo do të thotë që opozita po e merr veten çdo ditë e më shumë dhe po kthehet në një shqetësim për mazhorancën e cila përfaqëson trafikun e drogës dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Ju thatë pak më parë që jemi në kërkim të vetvetes. Opozita nuk është në kërkim të vetvetes por është prezentë. Është një nga institucionet që po qëndron duke pasur parasysh edhe represionin e jashtëzakonshëm që bëhet nga mazhoranca e krimit të organizuar, qoftë më indimitidimin e opozitës apo edhe me dezinformimin dhe manipulimin e opinion publik rreth opozitës. Po të shikojmë, një nga problemet më të mëdha që kanë mediat shqiptare sot është se ku është opozita.
Faktikisht kemi një opozitë që është prezentë, që denoncon, që flet, që nuk bojkoton dhe as nuk i bie bilbilit. Por mundohet që me ato pak mundësi që i lë represioni i krimit të organizuar që ka uzurpuar institucionet, policinë, prokurorinë, gjykatat etj, të jete prezente. Unë mund t’ju them që ju duhet të pyesni se çfarë po bën qeveria për tu dhënë shqiptarëve shansin për të jetuar në vendin e tyre dhe jo për të mos u larguar. Duket sikur keni vetëm hallin e opozitës. Po hallin e mazhorancës që ka uzurpuar dhe ka pushtuar të gjithë institucionet shqiptare?”, tha ndër të tjera Kryemadhi.