Duket se aventura e Armando Sadikut tek skuadra e Levantes është drejt fundit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk u përshtat tek spanjollët dhe pritet të largohet këtë verë.
Kështu shkruan prestigjiozja spanjolle “Marca” në lidhje me situatën e sulmuesit elbasanas, që u transferua në janar nga Legia e Varshavës te skuadra valenciane.
Në analizën e “Marca”-s shkruhet se trajneri Paco Lopez ka një plan për sulmin, por në këtë plan nuk bën pjesë Sadiku, ndaj klubi spanjoll është i gatshëm të dëgjojë ofertat për të.
Sadiku, që ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në vitin 2020 e ka të qartë situatën ku ndodhet, ndaj klubi kërkon ta largojë ose duke e shitur, ose në formë huazimi.
Të ardhmen e Sadikut do ta vendosin ofertat që do të vijnë te Levante për kartonin e tij. Sigurisht nëse nuk ofrohet shuma e duhur, sulmuesi mund të qëndrojë, por qëllimi kryesor i Levantes është të gjejë blerës për të.
Sulmuesi shqiptar zhvilloi 6 ndeshje në sezonin e kaluar me Levanten, 4 prej tyre titullar, por nuk mundi të gjejë dot golin në Spanjë.