Zinedine Zidane vetëm pak ditë më parë ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Real Madrid, veprim që shokoi të gjithë pasi erdhi në momentin që fitoi Championasin e tretë radhazi. Aludimet e para ishin se tekniku francez e bëri këtë lëvizje për të marrë drejtimin kombëtares. 45-vjeçari u lidh shpejt me marrjen e drejtimit të kombëtares së vendit të tij, e cila, sipas Didier Deschamps, konsiderohet në mesin e favoriteve të Kupës së Botës. Por Zidane tha se vendimi i tij për t’u larguar nga Real Madridi nuk kishte të bënte me potencialin për të udhëhequr “gjelat”.
“Gjëja më e rëndësishme është të mbështesim skuadrën e Francës, – tha ai për TF1. – Unë nuk e ndala punën time te Real Madridi për të marrë drejtimin e ekipit të Francës. Unë u ndala për të bërë një pushim. Natyrisht, jam mbështetës i kombëtares franceze. Ne të gjithë duam që ajo të sjellë një titull të dytë nga Botërori i Rusisë”.
Zidane pretendon se ende nuk ka marrë vendim për të ardhmen e tij të menjëhershme, me një pushim të mirëpritur, të cilit iu gëzua pas një periudhe stresuese, por të suksesshme, në krye të “Santiago Bernabeu”: “Nuk e di se çfarë do të bëj. Gjëja më e rëndësishme është vendimi që kam marrë, pjesën tjetër do ta shohim”.