Suksesi i Kukësit me kluaifikimin për në raundin e dytë eliminator të Champions League është një sukses sa sportiv aq edhe financiar. Tashmë, skuadra nënkampione e vendit, pas elimimit të Valetës, do të përballet me Karabakun e Azerbajxhanit. Ndeshja e parë do të luhet më 25 korrik në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa ajo e kthimit më 1 gusht në Baku të Azerbajxhanit. Gjithsesi, tashmë shanset për të vazhduar aventurën europiane për Kukësin janë më të mëdha dhe në rast eliminimi nga skuadra azere, ekipi i Armando Cungut do të kalojë menjëherë në raundin e tretë të Europa League.
Llogaritë sportive në evenimente të tilla shoqërohen me faturat që për futbollin tonë mund të konsiderohen deri diku të majme. Me kualifikimin për më tej, skuadra e Kukësit do të përfitojë rreth 540 mijë euro deri më tani. Një shifër e tillë, në bazë të deklarimeve të presidencës për shpenzimet vjetore, është gati gjysma e buxhetit për skuadrën e Kukësit.
Ndërkohë, edhe Laçi në Europa League ka një faturë të ngjashme për suksesin e arritur një ditë më parë kundër qipriotëve të Anorthosit. Kurbinasit, sipas shpërblimeve të publikuara nga UEFA, do të mund të përfitojë deri më tani rreth 460 mijë euro. Gjithsesi, deri në përfundim të eliminatoreve për klubet shqiptare do të ketë një përllogaritje përfundimtare, ku shtohen disa bonuse ekstra nga UEFA në varësi të paraqitjes së tyre.
Laçi, ndeshjen e raundit tjetër do ta luajë me skuadrën norvegjeze të Moldes, më 26 korrik në trasnfertë dhe më 2 gusht në Shqipëri.