Kristo Tohver do të vendosë drejtësi në ndeshjen mes Laçit dhe Moldes. Por këtë herë shpreson që kjo sfidë të mos jetë si një aventurë, ashtu si tri vite më parë.
Kjo nuk është hera e parë që arbitri estonez vjen në Shqipëri. Ai ka arbitruar dy herë në vendin tonë, Skënderbeun kundër Sportingut të Lisbonës në fazën e grupeve të Ligës së Europës, por edhe Kukësin në eliminatore kundër Mlladost Podgoricës.
jo e fundit, sipas “Panorama Sport”, do të mbahet mend gjatë nga arbitri 37-vjeçar.
Në 16 korrikun e vitit 2015 ai ishte caktuar nga UEFA për të arbitruar ndeshjen mes Kukësit dhe Mlladost Podgoricës, por një ditë përpara sfidës ai u përball me një aventurë të pakëndshme.
Tohver kishte vendosur që të udhëtonte tranzit nga Talin për në Tiranë duke shkuar fillimisht në Gjermani më pas në Itali.
Nga kjo gjë kishte ndodhur një ngatërresë dhe valixhet e tij me sendet personale nuk mbërritën kurrë në Tiranë.
Tohver priti për disa orë në aeroportin e Rinasit, por më kot. Ai u detyrua që të shkonte në një qendër tregtare për të blerë rroba dhe sende personale për qëndrimin e tij në Shqipëri.
Diçka e tillë e shqetësoi shumë 37-vjeçarin dhe ndihmësit e tij, të cilëve gjithashtu nuk u mbërritën valixhet dhe çantat me sendet personale.
Për fatin e tyre, pajisjet që i duheshin për ndeshjen, veshjet dhe gjithçka tjetër i kishin me vete.
Ndeshja mes Kukësit dhe Mlladostit përfundoi me rezultatin 0-1 për këta të fundit.
Por kjo nuk është lidhja e vetme që ka arbitri estonez me ekipet shqiptare.
Ai ka ardhur sërish në Tiranë për të arbitruar Skënderbeun në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe korçarët fituan 3-0.
Por më tej, Tohver ka arbitruar gjithashtu bardhekuqtë kundër Debrecenit, sfidë të cilën e humbën 3-0.
Njohja e estonezit me shqiptarët nuk përfundon këtu. Ai ishte gjyqtar kryesor në ndeshjen Sion-Flamurtari, ku vlonjatët triumfuan 2-3 dhe në kualifikimin epik të Partizanit me Ferencvaroshin me penallti në Hungari.
Ai mund t’u sjellë fat kurbinasve, por fillimisht po mendon që këtë herë të mos i ngatërrohen valixhet.