Një rotacion tërësisht italian në majat e arbitrazhit europian. Pierluigi Collina jep dorëheqjen nga posti i kryedizenjatorit të arbitrave të UEFA-s, e në vend të tij do të nominohet Roberto Rosetti, përgjegjësi aktual italian i videoarbitrimit, VAR.
Largimi i Collinës, ish-arbitri më i vlerësuar italian dhe jo vetëm, ndodh për motive personale.
Collina u emërua në vitin 2010 në postin e kryedizenjatorit të arbitrave për kompeticionet e zhvilluara në kontinentin e vjetër, pas telefonatës që i bëri ish-presidenti i atëhershëm Michel Platini. Gjithsesi, 7 herë fituesi i çmimit “Arbitri më i mirë i vitit” do të mbajë rolin e presidentit të Komisionit të arbitrave në FIFA, post që e ka marrë nga janari i vitit 2017.
“Pierluigi i ka garantuar UEFA-s të njëjtin vizion, mirëkuptim dhe talent, që ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka gjykuar”, deklaroi presidenti aktual i UEFA-s, Aleksander Ceferin. “Dua ta falënderoj për impenjimin në këto vite dhe për gjithçka ka sjellë në futbollin europian gjatë periudhës së drejtimit të tij si përgjegjës i arbitrimit”.
“Ishte një privilegj për mua të punoja si kreu i arbitrave të UEFA-s në këto 8 vite. Jam krenar për rezultatet e arritura së bashku me kolegët e mi”, shprehet vet Collina në letrën e largimit.
Roberto Rosetti, 50 vjeç, ka qenë arbitër ndërkombëtar nga viti 2002 deri në vitin 2010, kur edhe u tërhoq. Momenti më i spikatur i karrierës së tij është ai gjatë Europianit të vitit 2008, kur gjykoi ndeshjen hapëse dhe atë finale.
Në vitin 2008 iu dorëzua çmimi “arbitri më i mirë i botës”, ndërkohë që ka qenë përgjegjës për VAR-in gjatë Botërorit të fundit në Rusi.