Atleti shqiptar Izmir Smajlaj ishte mes emrave më të kuotuar për të qenë në podium në garën e kërcimit së gjati në kampionatin europian të Berlinit, por zhgënjeu parashikimet.
Sportisti kuqezi, që kaloi në finale në limitin e distancës, nuk bëri më shumë në Europian, duke mbyllur gjithçka në vendin e 6, zhgënjim për vet protagonistin dhe tifozët që shpresonin medalje.
Atleti shkodran dështoi në provën e parë në impiantin gjerman, por u përmirësua ndjeshëm me 7.83 metrat në kërcimin e dytë, rezultat më i mirë sesa paraqitja që e kishte kualifikuar në finale. Provat pasuese ishin edhe më dobët për Smajlajn, në një garë ku pati rivalitet të fortë.
Tentativa e pestë ishte ajo që e çoi kërcimin në 7.99 metra, më e mira për shqiptarin për këtë sezon, por që e la jashtë podiumit.
Greku Tentoglou dominoi pistën, me kërcimin gjigant prej 8 metra e 25 centimetrash, ndërsa në podium u ngjitën gjithashtu gjermani Heinle dhe ukrainasi Nykyforov.
Pritshmëritë më të mëdha për Shqipërinë ishin dhe mbeten gjithsesi te Luiza Gega. Sportistja elitare do të garojë më 10 gusht në baterinë e saj kualifikuese, një provë relativisht e lehtë për ambiciet e Gegës dhe përgatitjen e saj që pritet ta çojë në finale.
Luiza Gega, që vjen në këtë Europian si kampione e sapokurorëzuar e Mesdheut, do të garojë në 3.000 metra me pengesa, finalet e të cilit zhvillohen më 12 gusht.