Që nga koha kur la Kombëtaren shqiptare, Xhani De Biazi nuk ka pasur kujtime të bukura në stol, duke u larguar edhe nga Alavesh për rezultate të dobëta, ndërkohë që aktualisht ai është pa një skuadër. Megjithatë, duket se po i buzëqesh fati trajnerit italian që është shumë pranë drejtimit të një kombëtareje.
Mediat armene, bëjnë më dije se trajneri me pasaportë shqiptare ka udhëtuar drejt Armenisë për të takuar presidentin e Federatës Armene të Futbollit, në mënyrë që De Biazi të marrë drejtimin e skuadrës. Rezultatet e fundit nuk kanë bindur pasi në dy takimet e para në Ligën e Kombeve, Armenia ka marrë vetëm 3 pikë.
De Biazi mund të zërë vendin e Vardan Miniasan që është aktualisht trajner i përkohshëm në skuadër. Kujtojmë që Armenia ishte në grup me Shqipërinë në eliminatoret e Europianit 2016, aty ku kuqezinjtë arritën të kualifikoheshin duke mundur dy herë Armeninë, si në “Elbasan Arena”, ashtu edhe në transfertë dhe trajner atë kohë te ne, ishte pikërisht De Biazi.