Laçi mund të konsiderohet surpriza e madhe e këtyre 7 javëve në kategorinë superiore, dhe këtë e konfirmoi me fitoren e fundit ndaj Flamurtarit.
Formacioni kurbinas u ngjit në vendin e tretë pasi mundi 1-0 vlonjatët. Skuadra e trajnerit Mërgjyshi është e vetmja pa asnjë humbje në elitën e futbollit shqiptar dhe në sfidën para publikut të shtëpisë, prevaloi me golin e Gjonit.
Tirana fitoi 2-3 në fushën e Kastriotit duke rikthyer disi qetësinë pas polemikave që shoqëruan humbjen në derbi, dhe presionit në pankinën e Ze Marias.
Bardheblutë u impenjuan në një transfertë të sikletshme jo larg kryeqytetit por morën 3 pikë në Krujë duke iu larguar zonave të ulëta të renditjes. Pas avantazhit të vendasve me Bardhin, Tirana shënoi me Grecën dhe Blazhevskin dy herë. Reagimi i vonë i kastorit me Shehun nuk evitoi dot humbjen.
Në derbin që përplas dy ekipe që luftojnë për mbijetesën, Luftëtari mundi 1-0 Kamzën duke e barazuar me pikë në renditje. Gjirokastritë iu falën golit të Rrapos. Kaq mjaftoi që në qytetin e gurtë të festohej fitorja e dytë këtë sezon.