Pas triumfit në derbin e kryeqytetit, Partizani jep një tjetër konfirmim se do të jetë një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion, pasi arriti të mposhtë me rezultatin e thellë dhe të pastër 3-0 një skuadër si Teuta e Durrësit.
“Të kuqtë” e drejtuar nga Skënder Gega treguan sërish një disiplinë taktike dhe grintë për t’u admiruar, ndërsa brenda 45 minutave të para arritën të mposhtin dy herë portierin e durrsakëve, Isli Hidi.
Sulmuesi me shqiptar nga Maqedonia, Jasir Asani ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 29’, teksa ekzekutoi mjaft mirë një goditje dënimi, e cila u devijua në murin e ngritur nga futbollistët durrsakë dhe u ndal në rrjetën e portës së Hidit.
Në minutën e 41-të ishte sërish numri 10 i të kuqve, që shënoi edhe golin e dytë, pas një topi të rikuperuar nga Hila, që kaloi nga këmbët e Hebajt dhe përfundoi te Asani, që mposhti sërish portierin Isli Hidi.
Në pjesën e dytë skuadra e Gegës menaxhoi mjaft mirë lojën dhe thuajse nuk i la asnjë mundësi reagimi Teutës, ndërsa në minutën e 82-të ishte Mensah që shënoi golin e tretë pas një aksioni mjaft të bukur, të nisur nga Trashi dhe Bardhi.
Goli i sulmuesit Mensah mbylli përfundimisht sfidën dhe nxori Partizanin me një tjetër 3-pikësh, që i çon tashmë “të kuqtë” të kryesojnë të vetëm, në kuotën e 16 pikëve, 3 më shumë se Kukësi e laçi që e ndjekin.