​Manchester United rrezikon t’i humbasë 5 yje të skuadrës

Tuesday, 09 October 2018 09:55

Manchester Unitedi rrezikon t’i humbasë disa nga lojtarët më të rëndësishëm për klubin nëse Jose Mourinho do të vazhdojë të jetë trajner i klubit edhe pas këtij sezoni, si dhe nëse situata brenda klubit nuk ndryshon në mënyrë drastike.

Fitorja kundër Newcastle të dielën me rezultat 3-2 i ka rritur gjasat që Mourinho do ta mbajë pozitën e trajnerit në Manchester United. Megjithatë, raportohet se kjo fitore vetëm sa e ka maskuar rrëmujën brenda klubit dhe marrëdhëniet e këqija mes trajnerit dhe lojtarëve.

Paul Pogba vazhdon të jetë shqetësimi kryesor për klubin, pasi që ai dëshiron të largohet qysh në janar dhe t’i bashkohet ose skuadrës së Barcelonës ose Juventusit, edhe pse drejtuesit e klubit kanë thënë që ai nuk është për shitje. Pogba i ka prishur marrëdhëniet me Mourinhon, dhe portugezi javë më parë mori vendim që mesfushori francez të mos jetë më zëvendëskapiten i ekipit.

Edhe kontrata e Luke Shaw përfundon në fund të këtij sezoni dhe raportohet se mbrojtësi anglez nuk dëshiron ta rinovojë kontratën me klubin nëse Mourinho nuk largohet. Drejtuesit e Manchester Unitedit kanë tentuar t’i fillojnë bisedimet për një kontratë të re, mirëpo Shaw nuk ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime.

Ndërsa, Anthony Martial ka filluar të negociojë me klubin për një kontratë re, por kjo gjë raportohet se po ndodhë pasi që francezi beson se Mourinho nuk do të jetë edhe për një kohë të gjatë trajner i Manchester Unitedit. As Martial nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin, i cili e ka kritikuar disa herë publikisht, si dhe e ka gjobitur me 200 mijë euro kur e la turneun parasezonal për të qenë i pranishëm në lindjen e fëmijës së tij të dytë.

Dje është raportuar se as David de Gea nuk dëshiron ta rinovojë kontratën e tij me klubin, pasi që dyshon se Manchester Unitedi nuk do të mund të konkurrojë për trofe të mëdha as në sezonin e ardhshëm. Klubi e ka opsionin për t’ia vazhduar kontratën edhe për 12 muaj të tjerë spanjollit, por pastaj mund ta humbasë si transferim të lirë në qershor të vitit 2020.

Lista e lojtarëve që “Djajtë e kuq” mund t’i humbasin gjatë afatit kalimtar të verës së vitit të ardhshëm e përfshin edhe Eric Baillyn, Juan Matan, Ander Herreran, Ashley Young dhe Phil Jones.

Login to post comments