Grabitet trofeu i “Tour de France” në një ekspozitë në Britani

E mërkurë, 10 October 2018 15:28

Trofeu i “Tour de France”, i fituar këtë vit nga Geraint Thomas është grabitur gjatë një ekspozite në Britani.

Ky lajm u konfirmua nga vet skuadra e tij “Team Sky”, nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen zyrtare të internetit.

Kupa u ekspozua në ekspozitën “Cycle Show” të mbajtur në Birmingham, së bashku me trofetë e Xhiros së Italisë 2018 dhe Turit të Spanjës të vitit 2017.

Pas kësaj ngjarje, ka reaguar edhe fituesi Geraint Thomas, i cili theksoi se trofeu ka një vlerë të kufizuar, por një domethënie të madhe për të dhe skuadrën

“Trofeu ka një vlerë të kufizuar, por një domethënie të madhe për mua dhe skuadrën. Shpresoj që grabitësi ta rikthejë. Trofeu është i rëndësishëm, por ato që kanë më shumë rëndësi janë kujtimet e kësaj vere të pabesueshme dhe ato askush nuk mund t’i grabisë”, ka deklaruar Thomas.

Ndërkohë, “Team Sky” theksonte se policia u njoftua për këtë grabitje dhe ka nisur hetimet për të gjetur trofeun.

Login to post comments