Ylli i Atletico Madridit dhe Kombëtares së Francës, Antoine Griezmann, ka thënë se ai ëndërron për Topin e Artë, pasi që e vlerëson këtë çmim si çmimin më prestigjioz dhe më historik për një futbollist.
Griezmann është pjesë e listës prej 30 futbollistëve të nominuar për këtë çmim, fituesi i së cilit do të bëhet i ditur më 3 dhjetor. Griezmann arriti të fitojë Evropa Ligës me Atletico Madridin, si dhe i ndihmoi skuadrës së Francës të triumfonte në turneun e Kupës së Botës.
Për shkak të performancave të francezit gjatë sezonit të kaluar, si për klubin ashtu edhe për kombëtaren, Griezmanni është njëri nga të nominuarit për ta fituar “Topin e Artë”, pretendentë kryesor për të cilin është ylli i Kroacisë dhe Real Madridit, Luka Modric.
“Nuk frikësohem ta them këtë gjë. Unë ëndërroj për Topin e Artë, për Ligën e Kampionëve, për ta fituar Kupën e Botës. Unë ëndërroj për shumë gjëra, ëndërroj t’i kem tre fëmijë”, ka thënë Griezmann.
“Këto ëndrra të motivojnë kur zgjohesh në mëngjes dhe kur ke synime për të arritur. Në një nivel personal, ky është niveli më i lartë që mund ta arrish. Ky është çmimi më historik, më prestigjioz”.
“Megjithatë, unë jam një lojtar që më intereson më shumë ekipi sesa çmimet individuale. Por, do të ishte mirë për veten për shkak të gjitha gjërave nëpër të cilat kam kaluar, veçanërisht pasi u detyrova të largohem nga familja në moshën trevjeçare”.