Kante 'i vetmi' që refuzoi pagesat në parajsat fiskale

E mërkurë, 14 November 2018 18:15

Nuk është hera e parë që N’Golo Kante bën që të flitet për të. Gjigand në fushë dhe një njeri i turpshëm jashtë saj, mesfushori i Chelsea-t është vënë në një pozicion të vështirë nga një sjellje e pazakontë në botën e futbollit.

Një zbulim i fundit nga Football Leaks, tregoi që futbollisti kampion bote me Francën ka refuzuar që një pjesë të pagës së tij dhe të ardhurat që vinin nga e drejta e imazhit t’i merrte në një llogari bankare në parajsat fiskale pranë ishullit Jersey.

Sipas sajtit francez “Mediapart”, 6 muaj para se Kante të braktiste Leicester City-n në vitin 2016, një shoqëri e quajtur “NK Promotions” u regjistrua në Jersey, ku do të derdheshin 10% të të ardhurave të lojtarit për të shmangur taksat. “Mediapart” është e paqartë nëse kjo shoqëri ishte krijuar me iniciativën e Chelsea-t apo nga përfaqësuesit e futbollistit. Fillimisht, avokati i tij kishte dhënë aprovimin për krijimin e kësaj shoqërie, por vitin e kaluar Kante mësohet se ka insistuar për të refuzuar çdo pagesë off-shore.

“N’Golo nuk pranon, dëshiron një pagë normale”, shkruante një konsulent fiskal në një e-mail të majit të vitit 2017 për drejtuesit e Chelsea-t. “Ka lexuar artikuj të shumtë për të drejtat e imazhit dhe për hetimet që kanë nisur ndaj lojtarëve dhe klubeve të ndryshme. N’Golo është i shqetësuar se mund të hetohet nga autoritetet. N’Golo ka vendosur të mos marrë asnjë rrezik përsipër.”

Login to post comments