Kroacia ka arritur të marrë tri pikë shumë të rëndësishme përballë Spanjës, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në fazën e “PlayOff” në Ligën e Kombeve.
Djemtë e Daliç kanë arritur të triumfojnë vetëm në sekondat e fundit, dukemposhtur “La Roja” me rezultatin 3-2. Fillimisht, ishte Kramariç që i dha avantazhin ballkanasve (54’), por vetëm dy minuta më vonë Sebajos barazoi gjithçka.
Jedvaj kaloi sërish në avantazh Kroacinë në minutën e 69’, por Spanja nuk u dorëzua dhe barazoi falë kapitenit Serxhio Ramos. Gjithsesi, Kroacia do të shënonte sërish me anë të mbrojtësit të Leverkuzenit, Jedvaj, duke marrë tri pikë të arta.
Në takimet e tjera, Belgjika ka mposhtur me lehtësi Islandën, falë dy golave të Miçi Batshuait. Austri dhe Bosnja e Hercegovinës janë ndarë në barazim 0-0, duke marrë pikën që iu siguroi kualifikimin.
Pavarësisht humbjes kundër Greqisë 1-0, Finlanda ruan vendin e parë dhe kualifikohet falë ndeshjeve direkte, pasi i ka mposhtur grekët 2-0 në ndeshjen e parë.
Edhe Gjeorgjia është kualifikuar në “PlayOff”, pasi mori pikën që deshi në fushën e Andorrës në atë barazim 1-1. Bjellorusia ka marrë tri pikë të arta në fushën e Luksemburgut dhe mori vendin e parë në grupin 2 në Ligën, ndërsa fitorja e Moldavisë 0-1 në fushën e san Marinos i mban ende në lojë për kualifikim.