Miqësorja/ Shpresat mundin Maltën pa shumë problem

Premte, 16 November 2018 22:38

Kombëtarja e Shqipërisë U 21 mundi me rezultatin 2-0 Maltën në një ndeshje miqësore të luajtur në stadiumin “Selman Stermasi” në kryeqytet. Kjo sfidë ishte një test për trajnerin Alban Bushi, i cili kishte afruar shumë emra të rinj në skuadër, ndërsa po bëhet gati për takimet e kampionatit të ardhshëm evropian.

Kuqezinjtë që në nisje treguan se ishin superiorë ndaj ishullorëve dhe e gjetën golin e parë falë sulmuesit të Partizanit, Rubin Hebaj. Shkodrani devijoi drejt portës një top në minutën e 35. Kuqezinjtë e rinj gjetën golin e dytë vetëm pak minuta më vonë. Protagonist sërish Hebaj, ndaj të cilit pati një faull në zonë dhe arbitri i takimit Juxhin Xhaja akordoi penallti.

Nga pika e bardhë e 11 metërshit, futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, Omar Imeri, shënoi golin e dytë për Shpresat. Shqipëria do të luajë sërish ndaj Maltës ditën e hënë, në një tjetër miqësore, këtë radhë në stadiumin “Loro Borici”.

Login to post comments