Kombëtarja shqiptare përjetoi një natë tmerri në “Loro Boriçi” të Shkodrës, pasi u mposht nga Skocia me rezultatin e thellë 0-4, në një ndeshje ku dukej se gjithçka shkonte kundër kuqezinjve.
Skuadra shqiptare mbyll kështu edicionin e Ligës së Kombeve, duke u renditur e fundit në grupin 1, të Ligës C, ndërsa rrezikon tashmë edhe rënien në Ligën e fundit.
Duke qenë se grupi ku bën pjesë Shqipëria, përbëhet nga 3 skuadra dhe grupet e tjera të Ligës C nga 4, kuqezinjtë nuk do të rrëzohen direkt si vendi i fundit i grupit.
Rregullorja ka parashikuar që do të bjerë vendi i tretë më i dobët nga të gjitha grupet dhe aktualisht janë Mali i Zi dhe Qipro, ato që mbajnë këtë pozicion me nga një pikë.
Që kuqezinjtë të bien në Ligën D, duhet që Mali i Zi të mposhtë Rumaninë në ndeshjen e fundit dhe Qipro të triumfojë ndaj Norvegjisë, ndonëse duket e vështirë që të ndodhë.
Gjithsesi, duhet theksuar se fati i qëndrimit të Shqipërisë në Ligën C nuk është më në dorën e kuqezinjve, ndërsa vendi i fundit në grup ka bërë që Shqipëria të renditet në vazon e katërt, në shortin e eliminatoreve të Euro 2020-ës.
Më thjesht akoma, kjo do të bëjë që Shqipëria të ketë të paktën 3 skuadra më të forta se vetja, në grupin e eliminatoreve të Euro 2020, shorti për të cilin do të hidhet në muajin dhjetor.