Polemikat mes irlandezit të arteve marciale mikse Conor McGregor dhe boksierit amerikan Paulie Malignaggi janë rikthyer ditët e fundit. Marrëdhënia mes tyre asnjëherë nuk ka qenë e mirë, sidomos pas përfundimit të stërvitjes që dy sportistët zhvilluan në korrik të 2017-ës. Asokohe, McGregor përgatitej për debutimin në boks ndaj Floyd Mayweather dhe u stërvit me Malignaggi, por shpejt situata i doli jashtë kontrollit.
“Unë mezi e pres që të përballemi në një ndeshje reale në ring me Conor. Kjo është një sfidë që Hearn mund ta organizojë shumë lehtësisht. Kjo është një përballje që do të sillte edhe shumë të ardhura. Conor ka kohë që fshihet, merret me fjalë por kjo ndodh pasi e di përfundimin që do të ketë në ring ndaj meje”, tha Paulie Malignaggi, i tërhequr nga sporti dy vite më parë.
Më tej, boksieri amaerikan tha: “Jam gati për një duel ku fituesi merr gjithçka. E dua këtë sfidë pasi e di që do ta fitoj, pasi do të më mjaftojë një grusht për ta dërguar në spital dhe për t’ia mbyllur përgjithnjë gojën”, u shpreh Malignaggi, 38 vjeç, që në karrierën e tij si boksier ka arritur 36 fitore e 8 humbje.