Java që sapo nisi duhet të jetë thelbësore për rinovimin e kontratës së Mauro Icardit. Sulmuesi argjentinas do të takohet me drejtuesit e Interit për të arritur një marrëveshje. Me të do të jetë edhe bashkëshortja e njëkohësisht menaxherja e tij, Wanda Nara. Ky do të jetë rasti më i mirë për të nisur një bisedë konstruktive.
Është moment delikat, që duhet menaxhuar me shumë zgjuarsi. Dy postimet e njëpasnjëshme të Mauritos dhe Wandas në përfundim të ndeshjes së Kupës me Beneventon, duhen marrë si sinjale pozitive. Fillimisht sulmuesi përgëzoi skuadrën për fitoren e parë të 2019-ës, më pas bashkëshortja e tij postoi një foto të partnerit të saj duke festuar me shiritin e kapitenit.
Këto janë dëshmi të një klime që po shkon drejt normalitetit, pas fërkimeve të pakëndshme të javës së kaluar. Edhe fjalët e Beppe Marottas, pas fitores me Beneventon, tregojnë për një klime më optimiste.
“Duhet të jemi të qetë kur flitet për këtë temë. Janë dinamika tipike të një shoqërie futbolli kur afron skadimi i kontratave. Nuk besoj se do të ketë probleme, nga të dyja palët ekziston qëllimi për të vijuar bashkëpunimi.”