Sot kanë filluar hetimet e organit qeverisës së futbollit evropian, UEFA, ndaj Chelseat për shkak të thirrjeve raciste që kishin bërë tifozët e klubit londinez gjatë ndeshjes së Evropa Ligës kundër MOL Vidit.
Një pjesë e tifozëve të Chelseat akuzohen se kishin brohoritur kore kundër çifutëve gjatë ndeshjes së zhvilluar në Hungari më 13 dhjetor. Këto kore pretendohet se i ishin drejtuar rivalit të Premierligës, Tottenhamit, transmeton Gazeta Express.
Chelsea kishte reaguar ndaj këtij problemi menjëherë, duke i cilësuar ato thirrje si të pështira, si dhe duke thënë se ajo pjesë e tifozëve që i kishte brohoritur ato kore e kishin turpëruar klubin londinez.
UEFA tani ka zbuluar se për këtë rast do të fillojnë hetime më të detajuara, pasi që ata e kanë punësuar një inspektor të veçantë për të hetuar për këtë rast. Chelsea ka marrë njoftimin se tashmë kanë filluar hetimet për këtë incident.
Ky nuk është incidenti i vetëm për racizëm në të cilin është përfshirë Chelsea, pasi që tre tifozë të Chelseat u arrestuan para ndeshjes kundër Tottenhamit, më 8 janar, për shkak të thirrjeve raciste në stadium.
Ky incident erdhi vetëm disa ditë pasi një tifoz i Chelseat u gjobit me 1 mijë euro dhe ia ndalua përcjellja e ndeshjeve në stadiume për tri vite, pasi u zbulua se ai kishte bërë thirrje homofobike gjatë një ndeshjeje të klubit londinez.
Muajin e kaluar, Chelsea ia ndaloi ardhjen në stadium edhe katër tifozëve të tjerë, të cilët e kishin abuzuar në baza racore yllin e Manchester Cityt, Raheem Sterling, gjatë një ndeshjeje në Premierligë.