Ish-futbollisti legjendar i Argjentinës, Diego Maradona, ishte operuar mbrëmjen e së shtunës për shkak të gjakderdhjes në stomakun e tij. Pasi atij iu lejua largimi nga spitali, Pele ia dërgoi një mesazh mbështetës.
Këta dy legjenda të futbollit e kanë një rivalitet mes vete që është i ngjashëm me rivalitetin mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos të kësaj gjenerate. Mirëpo, ata i urojnë njëri-tjetrit të gjitha të mirat kur është në fjalë shëndeti.
“Hej Diego. Nuk më pëlqen kurrë të dëgjoj se një anëtar i klubi #10 nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Shpresoj të ndihesh më mirë sa më shpejt që të jetë e mundur, shoku im”, ka shkruar Pele në llogarinë e tij në Twitter.
Së fundi, Maradona ka arritur marrëveshje me Doradosin për ta zgjatur edhe për një vit kontratën për të mbetur në pozitën e trajnerit të këtij klubi meksikan.
Pele e kishte shfaqur mbështetjen e tij për Maradonën edhe më parë, kur e kishte kritikuar yllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messin.
“Si mund ta krahasoni një njeri që luajti mirë me kokë, gjuante me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë me dikë që luan vetëm me një këmbë, e ka vetën një aftësi dhe nuk gjuan mirë me kokë”, ka thënë Pele, i cili i ka shënuar më shumë se 1 mijë gola në karrierën e tij.
“Si mund ta bëni këtë krahasim? Për t’u krahasuar me Pelen, duhet të jetë dikush që gjuan mirë me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë dhe me kokë. Maradona ishte një ndër lojtarët më të mirë. Nëse më pyetni se a ishte më i mirë se Messi, përgjigja ime është që po, ishte shumë më i mirë se Messi”.