Marash Kumbulla ishte një prej risive të trajnerit Edi Reja në listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet eliminatore ndaj Francës dhe Islandës.
Qendërmbrojtësi 19-vjeçar është bërë pjesë e skuadrës së parë të Veronës dhe ka luajtur titullar në dy javët e para të Serisë A, ndërsa sot ishte në krah të Bares në konferencën për shtyp.
Jeni 19 vjeç dhe luani në Serinë A. A është realizimi i një ëndrre kjo për ju?
Është një ëndërr që sapo ka nisur. Trajneri Juriç më ka besuar shumë dhe më ka dhënë hapësira, ndaj shpresoj të vazhdoj kështu e të justifikoj besimin e tij deri në fund.
Ku e sheh veten më vonë?
Unë nuk mendoj për më vonë, pasi duhet të jem i përqendruar te Verona, megjithatë shpresoj të shkoj sa më lart të mundem në karrierë.
A keni një idhull në repartin tuaj dhe cili është ai?
Si mbrojtës më pëlqen shumë Chiellini. Është e vështirë të arrish nivelet e tij, por është lojtari që unë ndjek.
Si e pritët ftesën në Kombëtare?
Isha shumë i emocionuar, pasi jam 19 vjeç dhe do të luaj sërish me Shqipërinë U21. Megjithatë isha shumë i lumtur kur më thirri trajneri Reja.
Çfarë gjetët në ekipin Kombëtar?
Më duket skuadër shumë e mirë, me shumë lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare. Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë të mundemi në këto dy takime.
Duke parë karakteristikat e tua, me cilin mbrojtës të kuqezinjve do të përshtateshe më shumë?
Të gjithë janë shumë të mirë dhe nuk ka diferencë. Do të përshtatesha lehtë me këdo.
Seria A është një reklamë për çdo futbollist. Sa të lehtë ta bën punën, fakti që vjen nga një kampionat i tillë?
Reja është një trajner italian dhe ky fakt më ndihmon të kuptoj më lehtë idetë e tij. Megjithatë fakti që vij nga Seria A, nuk ma bën më të lehtë, pasi trajneri i shikon të gjithë në stërvitje dhe më pas vlerëson e zgjedh më të mirët.
Si të kanë pritur në skuadër?
Më kanë pritur shumë mirë dhe më ndihmojnë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, ku më mbajnë afër.
supersport