Kryetifozi i Kosovës: Turp për Shqipërinë, festa pas mundjes së Kosovës

E mërkurë, 16 October 2019 22:12

Albert Kastrati, ish-kryetari i Plisav, i cili u largua nga drejtimi i tifo-grupit bardhekaltër vetëm tri ditë më parë, ka reaguar ashpër lidhur me videon e publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit pas ndeshjes së Kombëtares U-21 kundër Kosovës.

Aty shihen kuqezinjtë duke e festuar fitoren ndaj Kosovës, si të ishte ndonjë finale Botërori. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Kastratit, i cili ka akuzuar FSHF-në për videon nxitëse.

Sipas tij, FSHF dhe FFK vetëm sa po e përçajnë popullin shqiptar.

“Për çka po gëzoheni kështu që i keni mposht shqiptarët? Po më duket shumë pa lidhje ky gëzim, i cili bën veç përçarje, marre për ju që e menaxhoni këtë faqe dhe bëni kësi video. Unë asnjëherë nuk e kam shikuar Kosovën por vetëm Shqipërinë, sepse Kosova është zemra e Shqipërisë, por kjo video nuk më pëlqeu. Po më duket që federatat tona duan të na përçajnë, por nuk do t’ua lejojmë”, shkroi Kastrati.

Kujtojmë se Shqipëria mundi Kosovën në stadiumin “Elbasan Arena me rezultatin, 2:1.

Login to post comments