Kualifikimi hipotetik, Kosova mëson kundërshtarët në grupet e EURO 2020

Saturday, 30 November 2019 19:20

U hodh në Bukuresht shorti i fazës së grupeve të Euro 2020.

Kosova ka shansin e fundit për tu kualifikuar në këtë fazë nga raundi play-off i Ligës së Kombeve, teksa një kualifikim hipotetik i "dardanëve" do i vendoste në grupin C së bashku me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën.

Por, për të arritur këtu, të besuarit e Bersant Challandes do të kenë rival në gjysmëfinale Maqedoninë e Veriut dhe në rast kualifikimi, do të takojë në finalen e play-off të Ligës së Kombeve njërën mes Gjeorgjisë e Bjellorusisë. Takimet e grupit C do të zhvillohen  në stadiumet e Amsterdam dhe Bukuresht.

Grup i hekurt të paktën në letër konsiderohet ai F, me kampionët e Botës, Francën që është shortuar në të njëjtin grup me kampionët në fuqi të Europës, Portugalinë, Gjermaninë dhe fituesin e play-off të grupit A të Ligës së Kombeve, konkretisht një prej Isladës, Rumanisë, Bullgarisë dhe Hungarisë. Takimet e këtij grupi luhen në Munich dhe Budapest.

Rivali tjetër i Shqipërisë gjatë kualifikueseve të Europianit, Turqia u shortua në grupin A së bashku me kombëtaren e mbushur nga lojtarët me origjinë shqiptare, Zvicrën. Ky grup kompletohet nga Italia e drejtuar nga Roberto Mancini dhe Uellsi i yjeve, Gareth Bale e Aaron Ramsey.

Roma dhe Baku janë vendet pritëse të këtij grupi, ku rivaliteti pritet të jetë mjaft i madh. Short relativisht i lehtë për kryesuesit aktual të renditjes së FIFA-s, Belgjikën. Gjysmëfinalistët e Kupës së Botës në Rusi 2018 do të kërkojnë lavdinë Europiane nga grupi B, ku fillimisht do të mas forcat me Danimarkën, Finlandën dhe Rusinë.

Goglat e Bukureshtit rikthejnë sërish grupin A kualifikues të Eur0 2020, me Anglinë dhe Republikën Çeke që shortohen sërish në të njëjtin grup. Tashmë, "Tre Luanët" dhe Çekia do sfidojnë Kroacinë dhe fituesin e play-off të grupit C të Ligës së Kombeve, që diskutohet mes Skocisë, Izraelit, Norvegjisë dhe Serbisë. Londra dhe Glasgow do të jenë stadiumet pritëse të këtij grupi, që premton surpriza dhe spektakël.

Grup interesant edhe ai E, ku vendos përballë Spanjën, Suedinë dhe Poloninë. Ekipi që kompleton këtë grup vjen nga play-off i grupit B të Ligës së Kombeve.

Irlanda e Veriut, Bosnja, Sllovakia dhe Irlanda diskutojnë një biletë për në Europianin që zhvillohet verën e ardhshme nga data 12 qershor deri më 12 korrik. Ky grup i luan sfidat e saj në Bilbao dhe Dublin.

Finalja e madhe luhet më 12 korrik 2020 në stadiumin mitik "Wembley" në Londër.




Login to post comments