Guardiola dhe Manchester City mund të mos jenë një binom i gjatë në kohë. Që prej verës nisën zërat e divorcit të mundshëm mes spanjollit dhe klubit anglez, por tani ka një të dhënë më shumë. Sipas asaj që raportohet nga shtypi anglez është vendosur një klauzolë në kontratën që lidh Pep Guardiolën me Manchester City, që do t’i lejojë ndërprerjen e raportit të tij përpara përfundimit natyror në 2021.
Natyrisht, ka një kleçkë për ta bërë të vlejë: kjo mund të ndodhë vetëm nëse do të përmbushen disa kushte të caktuara nga trajneri, që shkojnë në favor të klubit. Vëmendje pra tek katalanasi në vitin e tij të katërt në pankinën e Citizens, sepse kjo klauzolë mund të shkaktojë sulmet e reja të atyre që e kanë teknikun e Tiki-Taka në majën e listës së dëshirave.
Historia e 48 vjeçarit tregon që ai nuk ka qëndruar kurrë gjatë në një pankinë: 4 vjet tek Barcellona, 3 vjet tek Bayern Mynih. Dhe tashmë prej disa javësh zhurmat rreth lamtumirës së tij vazhdojnë të shtohen dhe të ndjekin njëra-tjetrën. Vetë Guardiola, gjatë një konference për shtyp, është ngatërruar, duke përmendur emrin e Bayern në vend të Manchester City, një lapsus që ka bërë të diskutohet duke marrë parasysh që edhe bavarezët janë në kërkim të një trajneri për sezonin e ardhshëm. Guardiola ka qenë i kërkuar gjatë nga Juventus verën e kaluar.