“Shuplaka” e ish-kapitenit Beqiri: Partizani u çmontua vetë, krenari e tepruar e drejtuesve për…

E mërkurë, 29 Janar 2020 10:27

Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, në një prononcim për “Panorama Sport” nxjerr në pah defektet e të kuqve. Sipas Beqirit, transformimi për keq ka ardhur për shkak të çmontimit që drejtuesit i bënë grupit që doli kampion. Këtë çmontim ai e çuan të kujdesshëm, si dhe krenaria e tepruar nga drejtuesit për të mos kthyer Skënder Gegën kanë bërë që Partizani të ketë luhatje të mëdha.

Beqiri fajin nuk e vë te reparte të veçanta, por te mënyra se si është ndërtuar skuadra dhe si po veprohet me një ekip kampion. Ish-kapiteni është i mendimit se Sormani nuk e meritonte të rikthehej para Gegës, por mbase ky i fundit nuk vjen nga fakti se nuk ka pranuar t’i bëjnë merkaton.

Për Beqirin Partizani duhet të ndiqte modelin e suksesit, jo me shpikjet që nisën me Lerdën. Sa i përket titullit, ai pohoi se Partizani i ka mundësitë, ashtu si edhe Tirana që ka gjetur trajnerin, të cilin nuk e dinte që e kishte, por favorit llogarit Kukësin.

Ardit, çfarë mund të na thoni me ecurinë e Partizanit në këtë sezon, ku luhatjet janë të çuditshme për një ekip kampion në fuqi?

Situata ku ndodhet, s’ka ardhur përnjëherë, ka nisur gradualisht, madje pa e kuptuar edhe vetë çmontuan me shumë kujdes çdo gjë të mirë nga ajo që kishin vjet.

Ku bazoheni?

Po marr rastet më të freskëta, nga dënimi i Malës te shitja e Asanit, që mund të sjellë ndonjë të ardhur financiare, por janë në perspektivë. Kështu që shitja e Asanit është si bast, ndonëse është lojtar i mirë, askush nuk mund ta parashikojë se si do të jetë ecuria e tij deri në verë. Nuk është shitje që të garanton financa direkt dhe e pranon si sakrificë. Gjërat nisën që në verë me largimin e Gegës, ku u mor vesh motivi se nuk do ta pyeste kush për merkaton. U fol më pas për ta riafruar Skënder Gegën, por klubi nuk e bëri një hap prapa për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit.

Por rikthyen Sormanin…

Zgjodhën një model për të rikthyer një trajner që ka lënë shije të mirë. Nuk diskutohet që Sormani është trajner i mirë. Por, Sormani nuk ka lënë shije më të mirë se Gega. Ndryshe është të kalosh një tur në Europë dhe ndryshe të  dalësh kampion, aq më shumë kur titulli mungonte prej 26 vitesh. Nëse Gega do të rikthehej, pa dyshim që do të vinte me një status tjetër. Pavarësisht se situata nuk është më optimalja edhe për Gegën, pasi ekipi ka humbur shumë nga shkëlqimi i sezonit të shkuar dhe gjërat nuk janë bërë si duhet. Për mua është krenari e tepruar e drejtuesve që nuk kthyen Gegën, por s’dihet a do të pranonte edhe vetë Skënderi? Nëse do të kishin ndonjë projekt rikthimi apo suksesi, gjithçka duhet të niste nga ish-trajneri që i nxori kampion.

Për titull cilën shikoni këtë sezon dhe a mund të jetë viti i Tiranës, meqë ka edhe 100-vjetorin e themelimit të klubit? 

Mund të jetë viti i Tiranës, pasi njerëzit e lidhin edhe me 100-vjetorin. Nuk duhet të harrojmë se Tirana ishte në pikën e saj më të ulët para derbit me Partizanin. Sado që është një ekip i ndërtuar mirë, si është e mundur që në pesë javë të marrë rezultate pozitive. Pati ato probleme që pati, edhe mund të jetë viti i Tiranës dhe nuk është çudi po doli kampion, por unë e kam thënë me kohë, kur Kukësi ishte 5-6 pikë prapa kreut se ata janë ekipi për t’u pasur frikë.

Pse duhet pasur frikë Kukësi? 

Ajo që duket nuk mbulohet dot, pasi dihet cilësia që ka ky ekip. Por dua të them se akoma nuk e kemi parë Kukësin më të mirë. Kur gjithçka të jetë harmonizuar dhe të jetë Kukësi në shinat e veta pritet që të ketë më mirë. Ndërsa për Partizanin dhe Tiranën nuk mund të them se çfarë mund të japin më mirë në vazhdimësi. Tirana ka fituar trajnerin që e ka pasur brenda, por nuk e ka ditur. Ky është avantazhi i bardhebluve, gjetja e trajnerit, i cili njeh ambientin, situatat dhe vetë familjen. Egboja nuk është i ri te Tirana. Ai mund të jetë i ri si trajner i parë. Egbo ka 15-20 vjet që punon aty dhe prandaj quhet edhe tirons i vjetër. Nga ana cilësore dhe sportive që shikohet në fushë, unë them se Kukësi do t’i lodhë klubet e tjera duke e ndjekur

Login to post comments