Ish- mbrojtësi i Juventusit, Igor Tudor, ka qenë më se i vendosur për të mos e larguar, Ardian Ismajlin nga skuadra e Hajduk Split. Trajneri i kroatëve, insistoi që mbrojtësi i kombëtares shqiptare të mos largohej në drejtim të Lecces në Serie-A.
Tudor është i bindur se Ismajli në të ardhmen do të shitet për një vlerë shumë më të lartë se sa i ofrohej aktualisht.
“Ismajli është një qendërmbrojtës që ka një vlerë të lartë dhe sa më takon mua, ai e ka të ndaluar të largohet. Kur të largohet, ai do të kushtojë shumë para. Kam qenë për shumë kohë në Itali dhe kam parë mbrojtës shumë më të këqinj që janë shitur për shuma të mëdha. Nuk do ta shesim Ismajlin për dy milion euro”, tha trajneri i Hajduk, duke bërë të qartë se futbollisti ishte i paprekshëm për momentin
Thuajse të gjitha mediat kroate e kanë rreshtuar futbollistin e përfaqësues shqiptare në formacionin ideal të pjesës së parë të sezonit dhe pakkush vë në dyshim që e ardhmja e tij është larg kampionatit kroat. Ofertat nga Italia kanë ardhur prej kohësh por duket se te klubi i Hajduk po i rezistojnë tundimit para se të finalizojnë një transferim të leverdishëm për futbollistin.