Në “Air Albania” u luajt takimi mes Tiranës dhe Teutës, i vlefshëm për javën e 20-të të Kategorisë Superiore.
Tirana arrin fitoren e gjashtë radhazi, duke shtuar edhe tri pikë në renditje, ku pozicionohet e dyta pas Kukësit.
Bardheblutë fituan me rezultatin 2-1, ku të tre golat u shënuan në pjesën e parë.
Në minutën e 13-të, Lorenco Vila kalon Teutën në avantazh, por reagojnë shpejt bardheblutë.
Portieri i durrsakëve, Stivi Frashëri, gabon në pasim dhe përfiton Cale, i cili pason te Ngo që me portën bosh, fillimisht gjuan në shtyllë, por më pas e dërgon në rrjetë, duke barazuar 1-1.
Agustin Torrasa në të 39’ përmbys shifrat, duke i dhënë avantazhin kryeqytetasve.
Në minutën e 42-të durrsakët mbeten me 10 lojtarë, pasi Çyrbja ndëshkohet me karton të kuq.
Në pjesën e dytë Tirana administron rezultatin dhe arrin të fitojë, duke u ngjitur në kuotën e 37 pikëve, 1 më pak se Kukësi kryesues dhe 6 më shumë se Partizani që e ndjek nga pas.