Një javë më parë, Tirana pati një ditë më shumë kohë në krahasim me Vllazninë në raport me përballjen direkte krahasuar me axhendën e Kupës. Mirëpo, një histori e ngjashme mund të ndodhte edhe mes Skënderbeut dhe skuadrës kryeqytetase, por këta të fundit nuk kanë qëndruar “duarkryq” dhe për pasojë, u kanë prishur planet korçarëve.
PLANI
Tashmë është përcaktuar që ndeshja e kthimit në Kupën e Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Besës do të luhet ditën e mërkurë, pra nesër. Në fakt, korçarët kanë ngulmuar deri në fund që për shkak të takimit të së shtunës, sfida e kthimit në Kupë të afrohej për sot.
Por nuk ka ndodhur kështu. FSHF pas kërkesës së Skënderbeut ka përcaktuar fillimisht të martën si ditën e ndeshjes Skënderbeu-Besa, por më pas është rikthyer sërish te vendimi i mëparshëm duke e ricaktuar që ndeshja të luhet të mërkurën, në të njëjtën ditë me takimet e tjera.
PRAPASKENA
Burime të sigurta të gazetës bënë me dije se në fakt për këtë zhvendosje dyfishe ka pasur edhe një prapaskenë. Fillimisht ka qenë Skënderbeu që ka kërkuar të martën, duke gjetur dakordësinë edhe me klubin kavajas, të cilit në këtë rast i bëhej mirë pasi Kategoria e Parë është caktuar të shtunën.
Por përballë kësaj kërkese ka qenë ankesa e klubit të Tiranës. Bardheblutë, rivali i të shtunës për Skënderbeun, nuk kanë pranuar që të favorizohen korçarët dhe janë ankuar në FSHF që gara të jetë e njëjtë për të dyja ekipet.
Pra, kryeqytetasit nuk pranuan atë që Vllaznia e pranoi përballë tyre dhe FSHF, për të mos krijuar polemika, ka vendosur që edhe korçarët të luajnë të mërkurën. Duke u nisur nga kjo ankesë, FSHF ka rishikuar edhe një herë vendimin duke specifikuar që ndeshja e Kupës të luhej si të gjitha takimet e tjera të këtij turi, ditën e mërkurë në orën 13:30.