Publikohen kritikat që vinin nga stoli i Barcelonës gjatë ‘El Clasico’-s

Tuesday, 03 Mars 2020 10:38

Ndihmëstrajneri i Quique Setien në Barcelonë, Eder Sarabia, nuk mund ta fshihte zemërimin e tij gjatë përballjes së “El Clasico”-s mes Real Madridit dhe Barcelonës në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Katalanasit nuk arritën të shfrytëzojnë dominimin e lojës gjatë pjesës së parë për të shënuar, ndërsa në të dytën pësuan dy gola, duke humbur 2-0.

Reagimet e Sarabias nga stoli gjatë gjithë ndeshjes u kapën dhe u publikuan më vonë nga televizioni spanjoll “Movistar”.

“Ai nuk është duke bërë asgjë nga ato që duhet t’i bëjë”, dëgjohet të thotë Sarabia, duke e kritikuar njërin nga lojtarët e Barcelonës.

“Papritmas ai po fillon të luajë dhe ta godasë topin kur duhet të jetë duke e pasuar topin”.

Antoine Griezmann humbi një mundësi të mirë për ta zhbllokuar rezultatin e ndeshjes vetëm pak para se të mbyllej pjesa e parë dhe Sarabia s’ishte aspak i lumtur.

“Shëno Antoine. Godite topin me butësi, me butësi”, bërtiti numri 2 i stolit blaugrana.

Në disa momente të ndryshme gjatë ndeshjes, Barcelona kthehej në mbrojtje dhe nuk arrinte të krijonte lidhje mes reparteve të mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit.

“Ne nuk duhet ta kemi vijën e mbrojtjes aq thellë sepse ata do të fillojnë të na krijojnë hapësirë dhe pastaj vjen Benzema, e merr topin dhe krijon shumë superioritet. Ne duhet ta zvogëlojmë hapësirën shumë”, i tha Sarabia Setienit.

Login to post comments