Befason Lazio, njofton se do të dalë para kohe në stërvitje

E mërkurë, 18 Mars 2020 08:55
Futbolli kudo në botë ka ndaluar dhe po këshillon të gjithë që të qëndrojnë larg grumbullimeve të mbyllur në shtëpitë e tyre për të evituar përhapjen e Koronavirusit. 

Por klubi i Lazios i ka çuditur të gjithë me publikimin e një njoftimi.

Skuadra e cila lufton për titullin kampion në Serinë A ndaj Juventusit, nuk ka ndër mend që të pushojë gjatë për shkak të Koronavirusit dhe që tani është caktuar edhe data kur do të kthehet në stërvitje, shumë më shpejt se sa e mendonin të gjithë.

“Pas disa ditësh ndalesë, do të rikthehet shumë shpejt aktiviteti sportiv i skuadrës së parë të kryeqytetit. Bardhekaltrit do të kthehen të punojnë brenda qendrës sportive të Formelos në ditën e të hënës së ardhshme, më 23 mars”, shkruante klubi italian në njoftimin e tij.

Kjo është një zgjedhje që ka krijuar menjëherë shumë polemika në Itali, në një moment kur po udhëzohet e gjithë popullata që të qëndrojë brenda dhe të mos rrezikojë përhapjen e këtij virusi të rëndë, udhëzime që janë bërë edhe nga qeveria italiane. 

Kësisoj, që nga e hëna, Thomas Strakosha do të jetë i detyruar që të shkojë në stërvitjen e klubit të tij për t’u vënë nën urdhërat e trajnerit Inzaghi, edhe pse gjatë javës së fundit nuk ka reshtur së promovuari vetë qëndrimin në shtëpi, larg rrezikut të infeksionit.

Login to post comments