Sulmuesi i West Bromwich, Charlie Austin është futbollisti i radhës i infektuar me Covid-19 në Angli.
30 vjeçari në një intervistë për “The Telegraph” është shprehur se virusin e ka marrë gjatë një gare të kalërimit të mbajtur javën e kaluar.
Austin është i izoluar prej një jave në shtëpi dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij që të shtunën e kaluar, kur iu shfaqën simptomat e para.
'Ndjeja sikur dikush po hidhte një kovë ujë mbi mua, pasi isha qull”, pranoi ai duke treguar simptomat e para. Ai zbuloi gjithashtu se i kishte thënë familjes së tij se nëse do të merrte ndokush virusin, shpresonte të ishte ai.
“Ndjeja se isha më në formë se të gjithë dhe i shëndetshëm, ndaj mund ta përballoja. Pasi kam kaluar një javë me të, unë do t’u thosha të gjithëve, edhe atyre që janë 20 dhe 30-vjeçarë “mos e merrni lehtë, është shumë serioze”. Kam mësuar se njerëzit që nuk e kanë marrë këtë virus, vazhdojnë jetën e tyre normalisht, edhe unë këtë po bëja javën e kaluar. Jo se nuk e kisha parë me seriozitet koronavirusin. Por kjo është jashtëzakonisht serioze dhe duhet ta shohim si të tillë”, tha Austin