Por ndërkohë, në Itali rrezikon që në lidhje me rrogat e futbollistëve të mund të krijohet një kolaps i madh. Dje, në një video-konferencë mes 20 klubeve elitare të Serisë A, është biseduar mundësia që të gjithë futbollistët nën kontratë të mos paguhen në muajin mars.
Sigurisht që këta të fundit nuk është se e kanë në kontratë që ta pranojnë këtë, por duke parë ftohtësinë e tyre dhe sensibilizimin vetëm me urime dhe postime në rrjetet sociale, fakti që Seria A rrezikon një kolaps financiar shumë të rëndë, shpresohet që Shoqata e Futbollistëve Italianë të bindë “klientët” e saj që të heqin dorë të paktën nga paga e muajit mars, edhe pse ideja fillestare është ajo që të gjithë të ulin me 20 ose 30 për qind sivjet pagën vjetore.
Dhe nëse shumë presidentë janë dakord në parim me këtë kërkesë edhe të Ligës dhe federatës, por nga ana tjetër nuk duan që të hapin pakënaqësi me lojtarët që kanë nën kontratë, sidomos me yjet e skuadrës, kanë propozuar që nëse Ronaldo, Lukaku, Ibra me shokë dhe të tjerët nuk do jenë dakord me këtë dhurimin e një muaji pagë, apo uljen e saj me 20-30 për qind, rrogën e muajit mars të mund ta marrin me këste gjatë sezonit të ardhshëm (të gjithë lojtarët e Serisë A nën kontratë).
Gjithsesi, sesi do të përfundojë ky problem i radhës që del në sipërfaqe, duhen pritur ditët në vazhdim… Sepse thjesht sa për të marrë një shembull, Kristiano Ronaldos, i cili sot e kësaj dite është futbollisti më i paguar në Itali (31 milionë euro neto në vit), do i binte që të humbte 2.58 milionë euro nëse fal rrogën e muajit mars, ose 9.3 milionë euro nëse pranonte reduktimin e pagës me 30 për qind. Në të tilla shifra, duket e vështirë që të bësh kompromise…