Manchester United qëndron në krye ndër brand-et më të pasura futbollistike në botë, ndërsa Barcelona është ngjitur në krye të klasifikimit si brand-i më i fortë në merkato, duke lënë pas Real Madridin.
Kjo sipas një raporti të Brand Finance që ka analizuar vlerën e klubeve më të rëndësishme të futbollit. Vlera e brand-it të Manchester United është rritur me 9% duke arritur kuotën 1,895 miliardë dollarë – rreth 300 milionë më shumë krahasuar me gjigantët spanjollë si Real Madrid dhe Barcelona, vlera e të cilëve është rritur respektivisht me 11% dhe 7%.
Top 5 plotësohet me Bayern München dhe Manchester City. Kjo edhe për shkak të rikthimit në Champions League të Red Devils, që kanë parë të rritet fuqia e brand-it të tyre, duke u renditur në vend të tretë në klasifikimin e Brand Finance.
Por, në krye të renditjes së klubeve për forcën më të madhe të brand-it gjejmë Barcelonën, në vend të dytë Real Madridin, ndjekur nga Manchester United. Bayern München zbret nga podiumi duke u renditur në vend të katërt, ndërsa Liverpool plotëson top 5.
Në renditjen e vlerave të brand-eve megjithatë dominon Premier League, që në top 10 përfaqësohet me 6 skuadra dhe 18 të tilla në top 50. Vlera totale e brand-eve të klubeve angleze arrin në 10.1 miliardë, përkundër 4,4 miliardë klubet gjermane, 3,9 klubet spanjolle dhe vetëm 2,1 klubet italiane.