Sot është dita kur kombëtaret e kualifikuara në Botërorin duhet të paraqesin në FIFA listën paraprake me futbollistët të cilët do të marrin me vete në Rusi. Ndryshe nga ekipet e tjera deri më tani Brazili ka dorëzuar listën përfundimtare me 23 futbollistë.
Bie në sy se trajneri Tite ka grumbulluar mesfushorin e Shakhtar Donetsk, Fred, i cili është përfolur për një kalim në “Premier League”, dhe së bashku me të edhe shokun e skuadrës te ukrainasit, Taison.
Felipe Luis i Atletico Madrid është përzgjedhur për të qenë zëvendësuesi i mbrojtësit të majtë Marcelo, që do të thotë se nuk ka vend për yllin e Juventus Alex Sandro. E çuditshme duke patur parasysh se Felipe është i dëmtuar dhe nuk dihet nëse do rikuperohet në kohë.
Danilo i Manchester City-t do të konkurrojë për një vend në krahun e djathtë me Fagner.
Skuadra do të grumbullohet në Brazil në datën 21 maj përpara se të udhëtojë në Londër një javë më pas dhe do të vendoset në qendrën stërvitore të Tottenham përpara miqësoreve me Kroacinë në Anfield më 3 qershor dhe Austrinë në Vienë më 10 qershor.
Skuadra pritet të mbërrijë në Rusi në datën 11 qershor përpara se të luajë ndeshjen e parë ndaj Zvicrës më 17 qershor.