Largimi i Antonio Contes nga pankina e Chelseat po shkon drejt zyrtarizimit këtë muaj. Por, në pritje të ndryshimeve në pankinën e skuadrës londineze, po diskutohen edhe kundërpeshat financiare.
Tekniku italian, që ka pasur përplasje të mëdha me drejtuesit për shkak të merkatos së varfër dhe pakënaqësive në politikat e klubit, ka zgjedhur një pozicion mbrojtës për të përfituar sa më shumë nga shkarkimi.
Nëse kjo ndodh, Chelsea do ta paguajë Antonio Conten me 9 milionë paund, si kompensim për vitin e fundit të kontratës me “blutë” e Londrës. Italiani pritet të largohet këtë verë, pavarësisht se riktheu titullin te Chelsea dhe fitoi Kupën FA në dy sezone në “Stamford Bridge”.
Nëse ai do të vendosë të marrë një vit pushim, Chelsea do ta paguajë atë plotësisht, si pjesë e akordit të ri verën e kaluar.
Për momentin, alternativat në pankinë janë pakësuar në klubet elitare europiane dhe Conte, i udhëzuar nga agjenti i tij, nuk ka pranuar të firmosë dorëheqjen. Kombëtarja italiane drejtohet tani nga Mancini, ndërsa PSG-ja, Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund e kanë trajnerin e ri, kështu që opsionet për Conten kufizohen në një “pension” luksoz prej 9 milionë paund, mundësuar nga manjati rus Abramovich.