Pavarësisht se nuk ka marrë rezultate pozitive në vitet e fundit, Manchester United konfirmohet në vend të parë ndër klubet e futbollit në Europë për vlerën e sipërmarrjes, baras me 3.255 milionë euro, 5% më shumë se vitin e kaluar, sipas raportit të përvitshëm të KPMG. Klubi anglez, i cili prej 5 vjetësh nuk fiton Premier League-n, u paraprin fituesve të tre edicioneve të fundit të Champions League, Real Madrid dhe Barcelona. Real Madrid ka humbur 2% të vlerës në 2.920 milionë, për shkak të kostove për shpërblimet e paguara për katër trofetë e fituar vitin e kaluar (kostoja e personelit kalon 400 milionë, më e lartë se në gjithë klubet e tjera). Barcelona është stabël në 2.783 milionë (+1%). Ky është edicioni i tretë i studimit “Football club’s valuation: The European Elite 2018” nga KPMG. Vlerat referohen nga 1 janari 2018. Këtu nuk merren në konsideratë as rezultatet e bilancit, as ato sportive në sezonin që sapo u mbyll. Ky është një vlerësim, bazuar në vlerën e sipërmarrjes (“enterprise value”). Ajo llogaritet – shpjegon KPMG – si shumë algjebrike mes vlerës së tregut të kapitalit (pasurisë neto) plus totalin e borxheve financiare minus shpenzimet në kesh. Studimi mat vlerën e skuadrave duke u nisur nga të ardhurat. Por këtu ndikon edhe rentabiliteti, rrjetet sociale, vlera e transferimit të lojtarëve dhe pronësia e stadiumit. Vlera totale e 32 klubeve europiane më të rëndësishme është 32,5 miliardë, 9% më shumë se vitin e kaluar. “Industria e futbollit vijon të rritet, edhe pse ajo është më e ulët se +14% që ishte vitin e kaluar. Një ndër faktorët e rritjes është rritja e të ardhurave me 8%”, – thotë Andrea Sartori, partner i KPMG dhe udhëheqës botëror i sportit që ka drejtuar studimin. “Pavarësisht se kostot e transferimeve dhe pagave janë duke u rritur shumë, 32 klubet kryesore kanë një përgjithësi një rezultat pozitiv para taksave”, baras me 629 milionë euro “që është rritur 17 herë krahasuar me një vit më parë”, – thekson Sartori. Klubet angleze dominojnë, 9 nga 32 (të gjithë në 20 të parët), dhe kanë një vlerë sipërmarrje prej 13.787 milionë, baras me 42% të totalit, falë një vlere më të madhe të të drejtave televizive (vetëm Chelsea ka një bilanc negativ).