Real Madrid ka prezantuar sot fanellat reja (të parat dhe të dytat) për sezonin e ri 2018-2019. E para është ajo klasike, e bardha, por ndryshe nga sezoni i kaluar shkronjat dhe numrat do të jenë me ngjyrë të zezë, ndërsa e dyta ka ngjyrë të errët, me shkronja dhe numra të bardha.
Të interesuarit mund të porosisin në faqen zyrtare të klubit, por nëse do të futen aty mund të vënë re mungesën e fotos së Cristiano Ronaldo-s.
Justifikimi se portugezi është imazh i një tjetër marke sportive nuk qëndron pasi nëse do të ishte ashtu nuk do të kishte pozuar as Sergio Ramos, Asensio dhe Modric të cilët janë pjesë e albumit.
Ky detaj nuk bën gjë tjetër veçse shton zërat për largimin e portugezit gjatë merkatos së verës. Vetë futbollisti në fundin e ndeshjes finale të “Champions League” lëshoi fjalë lamtumire në drejtim të Realit.