Mazhoranca është e vendosur që ta ligjërojë dhe ta mbështesë grabitjen e madhe që po bën Rama me Teatrin Kombëtar.
Deputetët e mazhorancës kanë miratuar sot në tre komisione parlamentare shembjen e teatrit.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe komisioni i ligjeve e miratuan aferën e radhës së Ramës.
Kryetarja e Komisionit të Mediave, znj. Albana Vokshi u shpreh që në fillim të mbledhjes se ky projektligj është haptazi një vjedhje e pasurisë publike dhe një dëm i rëndë që i bëhet trashëgimisë kulturore në vend. Për më tepër, vijoi deputetja Vokshi se në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje të hapura që i bëhen Kushtetutës dhe kuadrit ligjor shqiptar për pushtetin vendor, konçensionet, partneritetin publik-privat dhe prokurimet publike. Ndaj, znj. Vokshi i bëri thirrje të hapur dhe publike Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës që të tërhiqeshin nga kjo përpjekje kriminale, në të kundërt do të përgjigjen para qytetarëve dhe drejtësisë. Sipas znj. Vokshi shkelja bëhet më e rëndë duke pasur parasysh mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që në Komisionin e Ligjeve Oerd Bylykbashi, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të komisionit, propozoi heqjen nga pika e diskutimeve të pikës së tretë të rendit të ditës. Komisioni e hodhi në votim propozimin e z. Bylykbashi dhe vendosi që projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” të shqyrtohej brenda mbledhjes së sotme.