Republika e Shqipëria u ka dërguar një kërkesë për propozim bankave për një ofertë për emetimin e eurobondit, shkruan Reuters.
Kërkesa është publikuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Financave, e cila pohon se Shqipëria synon që të emetojë një eurobond në 2018-n në tregjet e kapitalit si dhe të blejë një pjesë të eurobondit ekzistues që maturohet në vitin 2020.
Afati i maturitetit që duhet të merret në konsideratë është nga 5 deri në 10 vjet, ndërsa shuma që synohet të sigurohet do të jetë deri në 500 milionë euro dhe monedha do të jetë euro.
“Ne kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të dorëzoni një propozim të shkruar për të vepruar si një emetues (underwriter) i një emetimi potencial të letrave me vlerë të qeverisë”, thuhet në kërkesën për propozim (RFP), publikuar nga Ministria e Financave.
(underwriter është banka që shërben si ndërmjetëse ndërmjet vendit që emeton dhe blerësve, realizon prospektusin dhe drejton procesin e emetimit të eurobondit. Për emetimin e vitit 2015 këtë rol e luajtën Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase, pasi fituan garën e hapur nga financat-Shënim i Monitor)
Shqipëria synon gjithashtu të blejë një pjesë të obligacionit ekzistues që maturohet në vitin 2020.
Në ftesë thuhet:
Pas operacionit Eurobond të vitit 2015, që i mundësoi vendit emetimin e 450 milionë eurove për 5 vjet me një kupton prej 5.75%, Republika e Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave , synon : (i) emetimin e një Eurobondi në 2018 në tregjet ndërkombëtare të kapitalit; dhe (ii) blerjen e një pjese të Eurobondit ekzistues që maturon deri në vitin 2020.
Transaksioni synon (i) mbulimin e nevojave të financimit të qeverisë dhe (ii) menaxhimin në mënyrë proaktive të profilit të borxhit publik të Shqipërisë.
Përmes Transaksionit, Republika synon të zgjasë afatin e detyrimeve të saj me një kosto të arsyeshme, të ndjekë diversifikimin e bazës së saj të investitorëve dhe të parashikojë nevojat e ardhshme të financimit.
Eurobondi
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ashtu sikurse ka lajmëruar në strategjinë afatmesme të borxhit, ka nisur procedurat për emetimin e një eurobondi me vlerë deri në 500 milionë eyro, i cili do të synojë kryesisht të zëvendësojë eurobondin ekzistues dhe si i tillë nuk do të ndikojë në nivelin e borxhit publik.
Kjo do të jetë dalja e tretë e Shqipërisë në tregjet e kapitalit e cila e nisi këtë rrugëtim në vitin 2010 kur mori një Eurobond me vlerë 300 milionë euro.
Afati i këtij të fundit përfundoi në 2015 kur qeveria Rama doli në tregje duke rinovuar 300 milionë eurot e marra më parë por duke shtuar edhe 150 milionë të tjera të reja. Në atë kohë borxhi në tregjet e kapitalit për shumicën 450 milionë euro u sigurua për 5.75 për qind. Në maj 2015, Ministria e Financave shpalli fituese propozimet e paraqitura nga Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase duke i përzgjedhur ato si Bashkë-udhëheqës kryesorë (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit të Eurobondit 300 mln euro nga ana e qeverisë shqiptare.