Si destinacion i preferuar për familjarët është Bullgaria, ndërsa për eksplorim kërkohet të vizitohet Shqipëria dhe Rumania.
Kështu e cilëson media austriake Noen.at, tradicionalisht e dedikuar turizmit dhe sporteve.
Në një artikull të publikuar disa ditë më parë, austriakët shkruajnë se Kroacia po tejkalon Italinë për kërkesat për të pushuar në plazhet e bukura; Turqia është kthyer si destinacion pushimi, pas viteve të fundit që ishte hequr nga lista për shkak të sulmeve të mundshme terroriste; Spanja preferohet sepse konsiderohet si një hit i festave etj.
“Për ata që duan të zbulojnë vende interesante në Evropë, këtë vit do të shkojnë në Shqipëri ose Rumani, siç raporton Claudia Panhauser për Pfleger Reisen. “Një destinacion i nxehtë është edhe Islanda”, sugjerojnë profesionistët e udhëtimit të Kneissl.
Bregdet i gjerë, det të kaltër, shtëpi me gurë të bardhë dhe ishull përrallor – kështu kërkesa kanë shumica e turistëve të St. Pöltner në Austri. Dhe automatikisht nga përshkrimet mendja ju shkon për ishujt grekë Rhodos. Greqia është kthyer në destinacionin kryesor të vendeve perëndimore pas Pranverës Arabe.
“Turistët austriakë shmangin akoma Egjiptin dhe në shumë raste edhe Turqinë, ndonëse këtë vit janë kthyer sërish në hartën e destinacioneve të kërkuara”.
Kërkesa interesante ka edhe nga Spanja. “Spanja është e mirë për familjet dhe çiftet,” shkruan portali austriak noen.at. Si destinacion i preferuar për familjarët është edhe Bullgaria. Kroacia ka arritur t’i marrë tregun Italisë pasi ofron çmime më të lira dhe cilësi më të mira, sipas portalit.
Sa u takon udhëtimeve të largëta shumica e turistëve të qytetit austriak preferojnë Indonezinë dhe Amerikën Perëndimore. /Monitor/