Ndoshta nuk dihet mirë si lajm e si fakt, por një statistikë e tmerrshme qëndron në sirtarët e Policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka të bëjë me faktin e kërkimit të rreth 1 mijë personave të akuzuar për vepra të rënda kriminale, kryesisht atë të vrasjes. Këta persona janë larguar nga vendi duke i shpëtuar gjykimit të drejtësisë. Askush prej tyre nuk ka marrë dënimin dhe për më tepër në vendet ku kanë shkuar janë një tjetër rrezikshmëri e lartë kriminale. Ky numër kaq i lartë i personave në kërkim që kanë dënime në mungesë i bashkëngjitet numrit të të burgosurve shqiptarë nëpër botë, duke nxjerrë një shifër të lartë kriminaliteti. Ka një dyshim të fortë se mos ndoshta pushteti arrin të përdorë këtë kategori të vrasësve për punët e tij të pista. Dihet tashmë fakti se kriminaliteti ka njohur hapa cilësor nën qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.
Si policia, ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, duket sikur kanë harruar të ngacmojnë zyrat ndërkombëtare në rritjen e cilësisë së kërkimit të kësaj kategorie personash. Pavarësisht deklarimeve të gjata, as kryeministri nuk ka deklaruar ndonjë shqetësim rreth kësaj shifre vërtet të frikshme për shqiptarët.