Dita e martë ka shënuar luhatje të forta në kursin e këmbimit valutor vendas për disa prej monedhave kryesore, mes të cilave dollari amerikan dhe paundi britanik. Ndryshimet duket se janë më tepër të lidhura me forcimin e lekut, se sa më dobësimin e valutave të huaja, duke qenë se vlera në tregjet ndërkombëtare për to nuk ka regjistruar luhatje domethënëse.
Dollari amerikan humbi plot 0.7 lekë për njësi krahasuar me ditën e hënë dhe ndodhet tashmë në kuotën e 106.8 lekëve në blerje dhe 107.5 lekëve në shitje. Zhvlerësimi nisi në orën e para të mëngjesit të së hënës dhe duket se nuk do të ndalet as sot, ndaj është i pritshëm një zhvlerësim i mëtejshëm për valutën e SHBA në raport me lekun.
Në mënyrë pothuajse identike është zhvilluar edhe kursi i këmbimit me paundin britanik, i cili po ashtu ka humbur 0.7 lekë për njësi. Stërlina këmbehet sot për 140.3 lekë në blerje dhe 141 lekë në shitje. Ndryshime në vlerën e paundit priten edhe pas ditës së enjte, kur Banka e Anglisë do të marrë një vendim mbi politikën monetare.
Ndërkohë, i paluhatur vijon të jetë raporti euro/lek, i fiksuar në shifrat e 125.5 lekëve në blerje dhe 126.3 lekëve në shitje. Megjithatë, ndryshime nga disa javë më parë, luhatjet ditore në kursin e euros janë më të theksuara, çka mund të vijë si rezultat i shtimit të prezencës së kësaj valute në treg.
Në rënie ditën e sotme paraqiten edhe dollari kanadez, i cili ka humbur 0.5 lekë për njësi dhe dollari australian i zhvlerësuar me 0.2 lekë për njësi.