Një rregullore re për menaxhimin e likuiditeteve në banka është në proces miratimi nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet se cilës synohet të menaxhohet situata në periudha stresi për bankat.
Rregullorja e re që tashmë është në proces konsultimi synon që bankat sigurojnë në çdo kohë një raport të mbulimit me likuiditet prej të paktën 150% në total dhe të paktën 100% për totalin e monedhave të huaja të rëndësishme.
Për të përmbushur nevojat me “cash” në një moment të caktuar bankat mund të kthejnë në para edhe aktivet e tyre likuide për të mbuluar flukset dalëse neto gjatë periudhave të stresit.
Në një situate paniku kur klientët vërshojnë të tërheqin depozitat banka e prekur njofton menjëherë Bankën e Shqipërisë dhe i paraqet asaj një plan për rikthimin e raportit të mbulimit me likuiditet në nivelet e kërkuara në këtë rregullore.
Banka, gjatë përllogaritjes së raportit të mbulimit me likuiditet, konsideron si tregues/sinjalizues të rrethanave në të cilat ajo ndodhet në një situatë stresi, skenarët e mëposhtëm:
a) tërheqja e një pjese të rëndësishme/konsiderueshme të depozitave me pakicë (retail);
b) një humbje e plotë ose e pjesshme e kapacitetit të bankës për të siguruar financime të pagarantuara me shumicë, përfshirë depozitat me shumicë dhe burimet e tjera të financimit në situata emergjence, të tilla si linjat e marra të kredisë apo të likuiditetit;
c) një humbje e plotë ose e pjesshme e financimit afatshkurtër të garantuar;
d) flukse dalëse shtesë të likuiditetit, si rezultat i një përkeqësimi në vlerësimin e cilësisë së kredisë së bankës, deri në tri shkallë (notches);
e) rritja e luhatshmërisë (volatilitetit) së tregut, e cila ndikon mbi vlerën ose cilësinë e garancisë (kolateralit), apo mbi kërkesat për garanci (kolateral) shtesë;
f) tërheqje të paplanifikuara nga lehtësirat e likuiditetit dhe të kredisë, që banka u ka dhënë klientëve të saj;
Aktivet likuide për nevoja të likuiditetit mund të jenë në formën e një të drejte, pretendimi ose interesi të mbajtur nga banka dhe duhet të jenë të lirë nga çdo barrë apo detyrim.
Bankat duhet të konsiderojnë një aktiv të lirë nga çdo barrë apo detyrim, nëse nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore/nënligjore, kontraktuale ose kufizim tjetër që pengon shitjen, transferimin, ose cedimin e të drejtave që rrjedhin nga e drejta e pronësisë, ose në përgjithësi, largimin e një aktivi të tillë nga portofoli i bankës, nëpërmjet shitjes me të drejta të plota ose nëpërmjet marrëveshjes së riblerjes, brenda 30 ditëve të ardhshme kalendarike.
Të tilla banka përfshin kolateralet, linjat e miratuara të kredisë, por ende të patërhequra dhe transaksionet derivative të monedhave të huaja.